Mbi Nacional-Komunizmin

Filozofi dhe antropologu francez Louis Dumont, në librin e tij “Ese mbi individualizmin” është përpjekur të sqarojë dallimin mes nacionalizmit qytetar dhe atij etnik duke analizuar idetë e Herderit nën dritën e ideologjisë moderne të individualizmit (Dumont 1997). Sipas tij, filozofia e Herderit është një kundërpërgjigje ndaj universalizmit individualist dhe ndaj idesë, se racionalizmi njerëzor është kudo i njëjtë. Sipas Herderit, historia nuk krijohet dhe as luhet nga individët, por nga popujt (volks), që konceptualizohen si individualitete kulturore. Soji njerëzor e shpreh vetveten vetëm përmes këtij individualiteti kulturor, folkut – popullit.
Ndërsa njeriu i iluminizmit është një individ abstrakt, përfaqësues i njerëzimit dhe mbartës i arsyes, i zbrazur prej cilësive të tjera njerëzore, njeriu i Herderit ËSHTË, mendon dhe vepron në të vetmen mënyrë si ia përcakton ato bashkësia e tij kulturore. Vetëm duke qenë pjesë e volk-ut qenia njerëzore merr kuptim (Dumont 1997:121). Në këtë mënyrë Herderi e zhvendos individualizmin nga personi tek grupi në një mënyrë holistike. Teoria etnike e kombeve që rrjedh prej Herderit nuk është në themel e pavarur nga teoria qytetare e kombeve, sipas të cilës kombi bazohet në konsensusin e individëve. Ajo rrjedh prej zhvendosjes së të njëjtit parim nga individi tek bashkësia. (Dumont 1997:122).
Kjo shpjegon pra, se edhe nacionalizmi etnik është gjithashtu një dukuri e modernitetit, por kjo teori si njësi bazë konsideron volkun-popullin dhe nuk atomizohet në individë. (Dumont 1997:123). Duke analizuar rastin gjerman si afërsisht një tip ideal të nacionalizmit etnocentrik, Dumonti prezanton karakteristikat kryesore të këtij lloj nacionalizmi.
“Unë jam gjerman”, thotë  Dumont, “dhe jam njeri vetëm përmes cilësisë së të qënit gjerman”. Cilësia e të qënit njeri jepet vetëm përmes etnicitetit. Për pasojë nënshtrimi i individit përballë etnicitetit konsiderohet normal. Nevoja për emancipim individual është më e dobët sesa për unitet. Konceptimi i kombit si një grup individësh është më e dobët se ajo e kombit si individ kolektiv. Etnocentrizmi, krenaria e të qënit gjerman (apo shqiptar, serb, grek etj.) vijnë si pasoja normale të nacionalizmit etnik.
Nëse do i shihnim idetë e nacionalizmit shqiptar gjatë shekullit të njëzetë nën këtë këndvështrim, do të vërenim se shpesh idetë e nacionalizmit etnik janë përzier edhe me ato të nacionalizmit qytetar. Kjo është normale për vetë natyrën e nacionalizmit, pasi edhe ideja e volkut – popullit nuk është edhe aq abstrakte dhe përafron shpesh me konceptin e masave. Është ky përafrim që shpesh bashkon format komuniste të nacionalizmit me format fashiste të tij. Nga njëra anë janë masat – klasat e ulëta të shoqërisë që janë shtypur vazhdimisht nga elitat – shpesh të konsideruara si  të huaja ose tradhëtare – kozmopolitane. Shpirti i Volkut – popullit qëndron tek këto masa të shtypura e të varfra, që thuajse gjithnjë janë autoktone.
Komunizmi lufton kundër klasës shtypëse, pra edhe tradhëtare dhe kundër politikave kolonialiste. Masat, që njëkohësisht janë edhe vetë  populli autokton, nëse më në fund do të marrin pushtetin, do ta pastrojnë vendin prej tyre, duke përmbushur njëkohësisht qëllimin civik (individët, statusi ekonomik e shoqëror i të cilëve përcaktohet nga përkatësia klasore – pra masat, më në fund kanë pushtetin – pushteti popullor) dhe atë kombëtar (një popull, një shtet). Me pak fjalë, kjo është ideologjia nacional-komuniste, ku statusi i individit përcaktohet nga klasa dhe etniciteti. Për pasojë përkatësia në një klasë apo / dhe etni tjetër, nuk është edhe kaq e mirëpritur në këtë ideologji. Minoritetet etnike dhe kulakët, apo mikroborgjezët përfaqësojnë një rrezik real për të. Tjetri, i ndryshmi, konceptohet si armik, e për pasojë, nëse nuk eliminohet fizikisht, përjashtohet nga shumë liri dhe të drejta që përndryshe i përkasin qytetarit normal të atij shteti. Ajo që nacional – komunizmi bën, është kombinimi i hegjemonizimit etnik herderian (volku si individ kolektiv – tjetri me etni të ndryshme ose duhet asimiluar ose duhet eliminuar), kombinuar me hegjemonizimin klasor marksist (shoqëri komuniste pa klasa-armiku i klasës nuk ka vend në atë shoqëri). (m.b.)

© nacionalizmidhedemonetetjere

This entry was posted in Nacional-Komunizmi. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s