Kur gjeopolitika e Ankarasë bëhet në kafenetë e (ish) Bllokut

“Nëse njerëzit e përcaktojnë një situatë si të vërtetë, pasojat prej saj janë të vërteta.” W.I.Thomas dhe D.S.Thomas, The Child in America

Shkrimin e tij në gazetën Shqip të datës 26 Nëntor te titulluar “Turqia dhe iluzioni ballkanas i aleancës” i cili ne pamje të pare të jep përshtypjen e një analize serioze mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe specifikisht mbi aleancat rajonale z.Dritan Hila e hap çuditërisht me një pasazh nga romani Skënderbeu i Sabri Godos ku tekstualisht thuhet: “Turku ka nevojë për kalin ,jataganin dhe Kuranin”, po ti bashkëngjisim këtij fragmenti edhe vargjet e famshme të rilindasit Naim Frashëri: “O dritë që lind andej nga perëndon” të cilat artikullshkruesi ja ndërfut tekstit për të treguar aspiratat euroatlantike të elitave drejtuese të periudhës së pas Pavarësisë e deri në ditët e sotme (këtu nuk ben përjashtim as Enver Hoxha pasi komunizmi si ideologji ishte alternativa e kapitalizmit ose thënë ndryshe dy ane te se njejtes medalje, Modernizmit Perëndimor) kemi përpara syve strukturën e krejt shkrimit të Hilës, strukturë e cila as më shumë e as më pak nuk është tjetër veçse dikotomia e vjetër orientaliste e cila e ndante botën bardhë e zi në dy blloqe monolite Lindje-Perëndim ku sigurisht Perëndimi ishte simbol i Dritës(iluminizmit), Arsyes , Forcës dhe Progresit, Virilitetit, vetë idesë së epërmë të Qytetërimit ndërsa Lindja ,despotike, obskurrantiste, irracionale, e dobet, femërore, e penetrueshme, e mbarsshme ose me nje fjale antipod i të parit.
Në këto pak rreshta nuk kam për qëllim ta analizoj shkrimin, apo serinë e shkrimeve të botuar nga autori në fjalë në faqet e Shqipit nën dritën e fenomenit që studiuesi dhe intelektuali i shquar amerikano-palestinez E.W.Said e pëkufizon si orientalizëm dhe me elegancë i bën një trajtim shkencor në veprën me të njëjtin titull Orientalism (Pantheon Books, New York, 1978)** dhe as ta analizoj këtë fenomen në kontekstin shqiptar pasi pedagogu E.Sulstarova e ka trajtuar me mjaft elokuencë në librin e tij Arratisje nga lindja: orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadare edhe pse shkrimet e Hilës mund të kontribuojne pozitivisht ne zgjerimin e Arratisjes me ndonjë kapitull suplementar.
Ajo që unë dua të analizoj këtu eshtë përdorimi i letërsisë artistike me karakter të pastër fiksional dhe ideologjik për ndërtimin e realiteteve të paqena dhe imponimin më pas të këtyre “realiteteve”si rreziqe aktuale për vendin në kuadër të aleancave të mundshme rajonale. Autori gjate te gjithe tekstit e ka të pamundur të shkruajë më shumë se dhjetë rreshta pa rënë në kundërthënie me veten; “jatagani” dhe “Kurani” paskan ngjizur tek ADN-ja e turkut ekspansionizmin duke e çuar deri tek Portat e Vjenës dhe se kjo karakteristikë, sipas Hilës “qëndron dhe se shpirti turk ka mbetur i njëjtë”. Këto abstragime mistiko-gjenetike qe vetëm “shkenca” dhe katekizmi hiljan mund të na i bëjë të kuptueshme kërkojnë trajtim më vete por ajo që të le gojëhapur e të merr frymën është binjakëzimi i “shpirtit” ekspansionist islamo-osman me kemalizmin republikan i cili njihet historikisht si luftarakisht antiislam, modernizues dhe pro Perëndimor duke thënë se :
Në ditët e sotme, mund të thuhet se karakteristika qëndron dhe shpirti turk ka mbetur i njëjtë: Shprehja “Pamja e jashtme shpesh të gënjen”, duket sikur është stisur për Turqinë, pasi disfata në Luftën e Parë Botërore dhe ngushtimi i Perandorisë së Osmanëve në kufijtë e asaj që sot është Republika Turke, ridimensionoi edhe politikën e saj të jashtme, ku gati për një shekull, pasardhësit e osmanëve ishin ose një shtet me politikë të theksuar neutraliste në gjysmën e parë, ose anëtarë besnikë të NATO-s më vonë, por me një profil të ulët ndërkombëtar, e megjithatë, themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Ataturk, duket se midis rreshtave kishte lënë edhe mesazhin për rolin e ardhshëm të Turqisë, ku duke folur për politikat që duhej të ndiqte vendi i tij, thoshte se “Turqia duhet të kujdeset si për paqen brenda kufijve ashtu edhe për atë jashtë kufijve”.Për të vijuar vërtik me: Vështirë ta ndash se kur një komb ndihet i sigurt në vetvete, pasi edhe Roma u bë perandori botërore, kur fshatarët e shtatë kodrave buzë lumit Tevere, shtynin gjithmonë e më shumë kufijtë e fshatit, për të pasur brezin e sigurisë, deri sa arritën dhe e shtrinë në tri kontinente. Siç duket fare qartë me një harresë gati sklerotike autori vazhdon në paragrafin e mësipërm të flasë për ekspansionizmin romak i cili pa pikën e dyshimit nuk ka qenë assesi i frymëzuar nga Kurani. Por nëse turqit na qenkërshkan frymëzuar nga parimet kuranore atëherë romakët dhe pasuesit e tyre modernë europianë nga cilat parime ekspansioniste udhehiqeshin? Përgjigja e Hilës është e pjesshme duke nxjerrë në pah vetëm sigurinë territoriale dhe lë pas dore etjen për pasuri, toka, skllevër dhe lëndë të parë për vënien në lëvizje të makinerisë industriale, simbolit unik të progresit Perëndimor. Është e tepërt te kujtojme edhe gërshetimin e këtij ekspansioni me “Misionin Civilizues” te Njeriut Të Bardhe te iniciuar prej Francës. A mund të na përgjigjet me sinqeritet Dritan Hila se ç’forca shtytëse e kane dislokuar Flotën ushtarake amerikane në pesë oqeane dhe gjashtë kontinente duke i dhënë kështu administratës së këtij shteti një ubikuitet të pa parë ndonjëherë në historinë botërore, ndërsa anti globalizmi sot si lëvizje është i paërfytyrueshëm pa qenë simultan dhe në sinkroni të plotë me anti amerikanizmin?
Faktet e qarta tek një mendje e cila si premisa për kuptimin e realiteteve vendos fantazitë letrare nuk bëjnë shumë dobi. Me padurim pritet vetem ngritja e Perandorië Imagjinare neo Osmane dhe thyerja e Portave te Vjenës. Por edhe nëse Turqia kërkon ta projektojë veten si superfuqi moderne të së ardhmes me ç’të drejtë morale mund të kundërshtohet ky projekt nga Hila kur ky njeri nuk nge lart parimisht flamurin e anti imperializmit proletar por përkundrazi atë të një tjetër perandorie, Amerikës? Po, po, pasi flamurin antiimperialist të marksizëm-leninizmit ka vendosur t’ia ngjeshë në dorë Muhamed Abdyl Uehabit pa e pyetur fare as sheikun e Arabisë dhe as pasuesit e tij të sotëm të cilët janë betuar për zbythjen nga Gadishulli Arabik edhe të Perandorisë së Hilës po për të njëjtat arsye që Abdyl Uehabi luftoi Osmanët, (sipas idhtarëve te sheik Abdyl Uehabit) përdhosjen e qyteteve të shenjta të Mekës dhe Medinës.
Nga historiografia nacional-komuniste Hila merr si të mirëqenë edhe urrejtjen en block të shqipëtarëve apo vendeve dikur nën sundimin e Perandorisë Osmane kundrejt vetë kësaj Perandorie duke lënë jashtë konsiderate të gjitha interpretimet alternative që ekzistojnë të paktën nga autorë shqiptarë ose ballkanas rreth kësaj periudhe historike. Në bibliotekat e universiteteve Perëndimore dhe veçanërisht në ato izraeliane të cilat janë ta angazhuara seriozisht në kuptimin e konflikteve racore, etnike dhe fetare, kjo për shkat të pozitave anemike që ka ky shtet në rajon, gjenden mjaft studime serioze mbi periudhën e sundimit Osman në Lindjen e Mesme, dhe në Gadishullin Ballkanik. Studime të cilat krahas objektivitetit që i karakterizon e kanë të pamundur të mos flasin me superlativa për sistemin e famshëm të mileteve në marrëdhënie me pakicat, sistem i cili për pjesën dërrmuese të studiuesve ka qenë më i miri për kohën në rang perandorishë.***
Është e vërtetë që Perandoria Osmane degradoi në pesë dekadat e fundit të jetës së saj dhe një pjesë e mirë e këtyre dështimeve i atribuohet edhe “ndriçimit” të terrenit me “dritën që lindte andej nga perëndonte” dritë e cila i hapi rrugën nacionalizmit të Xhon Turqve dhe genocidit ndaj armenëve. Por edhe këtu faktet tregojnë se numri i viktimave të dhunës etnike dhe fetare në pesëqind vjet sundim Osman në Lindje të Mesme dhe Ballkan janë më të vogla se sa ato të shtatëdhjetë vitive të fundit kur situatën e morën në dorë elitat nacionaliste. Nobelisti turk Orhan Pamuk në librin e tij me kujtime “Stambolli” dëshmon me trishtim se në dyzet vjet kemalizëm (1923-1963) numri i greko-ortodoksëve viktimë të histerisë nacionaliste turke arriti shifrën 50 000 (vrasje, dëbime, përdhunime) shifër e cila përsëri gjithmonë sipas Pamukut ngelet më e madhe se ajo e arritur gjatë 500 viteve sundim perandorak duke përfshirë këtu edhe luftën për marrjen e Kostandinopojës.Besoj se Pamuku vetë do te sekëlldisej pamasë kur ta shihte veten brenda “shpirtit turk” që propozon Hila dhe me ADN-në e programuar po nga ky i fundit pasi e njohin anë e kënd botës si ateist dhe të majtë. Por sigurisht që zëri i Hilës nga tribunat mediatike të Tiranës nuk është as për Ankaranë dhe as për Moskën, as për Uashingtonin dhe as për Pekinin e aq më pak për Romën dhe Brukselin. Ky zë është pjesërisht për veshët e elitës politike shqiptare ndërsa për masat votuese luan rolin e qenit të stanit i cili i rrëfen bagëtisë rrugën se nga nuk duhet të ecë.
Dritan Hila mburret me vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë të cilat bëhen relative sapo vihet në diskutim një konkurent i mundshëm si Turqia ku një qeverie të zgjedhur demokratikisht dhe me vullnet të lirë si alternativë ndaj ndjenjave të tyre “të theksuara” fetare i vihet marrja e pushtetit në mënyrë antidemokratike nga forcat e armatosura. Ky lloj dopio standarti nuk është risi për veshët e amerikano-jugorëve, iranianëve, apo fqinjëve tanë grekë, p.sh. ku Sh.B.A-ja kontribuoi në mënyrë të qenësishme në vitet 70 të shekullit të kaluar për mbajtjen në fuqi të regjimeve fashiste për interesat e saj strategjike në kuadër të Luftës së Ftohtë.
Duke vazhduar të qëndrojmë në “botën e vlerave” ftohja e Turqisë ndaj Izraelit shihet si makinacion i ulët taktik për të fituar admirimin arab dhe aspak si një distancim parimor ndaj padrejtësisë. Nuk e di si e sheh Hila mbështetjen e pakushtëzuar të Amerikës ndaj po të njëjtit shtet i cili në shkelje të hapur me të gjitha konventat dhe rezolutat ia përdor armatimin kësaj të fundit për genocid ndaj palestinezëve etnik? Duke e fajësuar Ataturkun në fillim të shkrimit të tij së bashku me Islamin(?) si një nga shteghapësit e ekspansionizmit turk çuditërisht Hila e mbyll shkrimin e tij si më poshtë: Nëse Turqia do të ndjekë rrugën të cilën e filloi Ataturku (cilën rrugë, atë të ekspansionit?), natyrisht me korrigjimet që kërkon koha (për shembull?) ka për të qenë risi në botën Islame (a thua shtetet e tjera të Lindjes së Mesme jetokërkan në kohën e Harun el Rrashidit); pjesë e rëndësishme integrale e qytetërimit modern dhe do të ketë si deri më tani përkrahjen e tij. Në të kundërt, aeroplan mbajtësen që ka planifikuar të ndërtojë, vështirë se do ta realizojë me inxhinjerët e universiteteve të Ulan Batorit dhe Tashkentit.****
Ekpsertiza gjeopolitike e Hilës tregon se edhe Universiteti i Tiranës nuk është më i fisëm se ai i kryeqyteteve të mësipërm aziatikë me emra ekzotikë dhe se kafenetë nga auditorët dallohen vetëm nga mënyra se si ia kanë pozicionuar karriget, ku ligjin nuk e bën argumenti por forca ideologjike me të cilën imponohet çka është e leverdisshme konjukturalisht për pushtetin.
Rudian Zekthi në pasthënien që i bën përkthimit shqip të Orientalizmit në mënyrë mjaft iluminuese na bën të kuptojmë fenomenin pjesë e të cilit është artikullshkruesi në fjalë. Zekthi vazhdon si më poshtë:
Të ndodhur për pese shekuj nën një perandori orientale, elitat shqiptare siç është e natyrshme qenë elita imperiale. Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Osmane, orientale në shekullin XIX-XX, korrespondon në Shqipëri me lindjen e elitave nacionaliste, të paktën nga Rilindja Kombëtare e deri më sot. Këto elita jo-më-imperiale rënien e Perandorisë Osmane e kanë përbrendësuar si disfatë të fuqisë iracionale të Orientit, karshi fuqisë racionale të Oksidentit. Ky përbrendësim siç sapo treguam, ka bërë qe elitat shqiptare të besojnë verbërisht se dija prodhon fuqi. Dhe duke qenë përherë nën presionin e shovinizmit të Oksidentit nuk kanë arritur dot të bëhen pjesë e Oksidentit. Dija prodhon fuqi pra por jo për shipëtarët (por për Oksidentin) të cilët të dominuar nga Oksidenti nuk ja njohin vetes të drejtën të kenë dije, meqë paraprakisht nuk kanë as fuqi racionale sepse nuk duan t’ia marrin Oksidentit, as fuqi iracionale sepse nuk duan t’ua japë Orienti. Ky është një variant i shtrimit të problemit shqiptar: ne nuk ia njohim vetes të drejtën për të pasur dije meqë këtë të drejtë e ka fituar përfundimisht Oksidenti, duke e përdorur fuqine ( e prodhuar nga kjo dije) me drejtësi duke na çliruar nga fuqia pa drejtësi e Orientit.
Besoj se kaq do të ishte e mjaftueshme për të gjithë ata të sërës së Hilës që pretendojnë të kenë përfaqësuar vlerat dhe idealet më të larta të Perëndimit se më shumë se shartim i fantazive dhe imagjinatave Perëndimi është pjellë e kërkimit të së vërtetës me gjitha shijet e saj.
Nolian Seitaj*/eZani i naltë
*Autori vazhdon Masterin në Studime Amerikane pranë Universitetit të Torinos, Itali.
** Orientalizmi, E.W. Said, Shtëpia Botuese “2lindje2perëndime”, Tiranë, Nëntor 2009
*** Ethnicity, Pluralism, and the State in The Middle East, Milton.J.Esman and Itamar Rabinovich, Tel Aviv University Press 1984 dhe A History of the Modern Middle East, William L. Cleveland, Westview Press Colorado 2000.
**** Komentet ne kllapa janë të miat
This entry was posted in Parody Science, Të përzgjedhura nga shtypi shqiptar and tagged , , , , , , , , , , , , , , , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s