Mevludi shkencor i Nënë Terezës

Dikur mbaj mend të kem lexuar një shkrim të Fatos Lubonjës mbi debilizimin e njeriut shqiptar. Ndërsa vetë jam e mendimit se kemi të bëjmë më shumë me dukurinë e servilizimit të njeriut shqiptar, që ndryshe do të përkthehej në debilizim të racionalizuar, ajo që përjetova sot më bëri të mendoj se Lubonja ka tërësisht të drejtë. Duke shpresuar se do të kini durimin të më lexoni deri në fund, dua të tregoj dhe shfrej njëkohësisht se çfarë më bën ta përkrah gjithnjë e më shumë tezën e debilizimit.

Para vetëm pak ditësh u ktheva në Shqipëri për të qëndruar pak kohë pranë familjes, pas një viti të lodhshëm studimi/kërkimi. Por Shqipëria është një vend që të nxit të kërkosh, edhe kur këtë nuk e ke aspak ndërmend. Paradite më qëlloi të kaloja në qendër dhe ishte e pamundur të mos shihja një poster të madh sa vetë Pallati i Kulturës, ku thuhej se kryeministri i shqiptarëve të Shqipërisë e kishte shpallur 2010-tën vitin e Nënë Terezës. Ndërsa kisha kohë që ndiqja online se kthimi i Nënë Terezës në mit kombëtar dhe shenjtore të kombit nuk është kaluar pa reagime nga disa grupe njerëzish dhe disa intelektualë, mes të cilëve edhe Fatos Lubonja e Rexhep Qosja, asnjëherë nuk kisha pasur rastin të shoh apo përjetoj drejtpërdrejtë rituale të shenjtërimit kombëtarist, apo më mirë të them, mënyrën sesi ndërtohet një mit (pasi shumica e miteve kombëtare tonat janë trashëguar nga shekulli i 19të).

Prandaj kur pashë njerëz të mbledhur para Teatrit të Operas dhe Baletit, mendova se kjo mund të kishte lidhje me posterin e stërmadh. Aty për aty vendosa të pyesja dhe të ndryshoja destinacionin e vendit për ku isha nisur.
Intuita nuk më kishte gënjyer. Në orën dhjetë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, organizonte një konferencë përkujtimore për Nënë Terezën. Gjatë fjalës së hapjes mora vesh se me këtë veprimtari hapej cikli i veprimtarive kulturore – përkujtimore për rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj. Ora po afronte dhe njerëzit po futeshin në sallë. Meqenëse kërkush nuk po kontrollonte për ftesa, përfitova nga rasti të futesha edhe unë për të parë e dëgjuar personalisht se si veprohej në kësi rastesh. Në të vërtetë po e mendoja një rast të tillë si një temë të mundshme për tezën e masterit që do të ngjallte shumë interes. Epo, Carpe Diem!

Në hyrje të Teatrit të Operas, një vajzë e bukur dhe e veshur si për festë mbante në dorë një shportë duke i buzëqeshur njerëzve. Për një çast mendova se organizatorët e Ministrisë së Kulturës, duke qenë se brenda vetes kanë edhe sektorin e Trashëgimisë Kulturore dhe i njohin mirë traditat popullore (shqiptare – sigurisht), e kishin vënë vajzën të qeraste të ftuarit me karamele tek porta, siç e donte adeti, e menjëherë më shkoi syri duke kërkuar edhe djalin me duhan – pse jo? Jo djalë me duhan që nuk pashë, po edhe karamelja më doli false. Ajo ishte në të vërtetë një stemë me fytyrën e Nënë Terezës, që zbukurohej nga dy fjongëza të vogla, njëra e bardhe e tjetra blu. Blu si ngjyra e bordurave të veshjes së nënë Terezës. Blu si partia e kryeministrit.

Bingo, thashë me vete, material me thasë po gjej më duket për temën. Bekuar qoftë muza që më bëri të kthej kokën nga posteri i stërmadh. Çfarë masteri, kjo del doktoraturë! Shumë e kënaqur për materialin e bollshëm që shpresoja të gjeja, zura vend diku nga fundi i sallës, pranë një vajze që nuk dukej dhe aq e kënaqur sa unë. Në skenën e teatrit ishin vendosur pesë kolltukë. Dhe ja, dritat e sallës u errën pakëz, ndërsa projektorët u përqendruan më shumë mbi dy persona që po ngjiteshin në skenë. Një burrë dhe një grua. Të dy elegantë, të veshur me klas, diku rreth të dyzetave. Epo, duhet të jenë prezantuesit, mendova, edhe pse ata ngjanin më shumë si prezantues spektakli sesa si moderator konference. Asnjë prej tyre nuk u ul. Në duar mbanin nga një dosje prezantimi blu, me fleta të bardha.

Blu si ngjyra e bordurave të veshjes së nënë Terezës. Blu si partia e kryeministrit.

Dhe patjetër që, në kostumet e tyre elegante, nuk mungonte stema. Kur, gruan e njoha që pa hapur gojë, ishte aktorja Ema Andrea. Po burri, cili aktor të ishte vallë? Ndaj pyeta vajzën e bezdisur pranë meje nëse e njihte ketë aktorin, se mua për shkak të qëndrimit jashtë, sikur nuk po më shëmbëllente ta njihja. Ç‘farë aktori thua? – shqeu vajza sytë nga habia – ai është Ardjan Marashi, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Këtë radhë habia e pamasë më kishte pushtuar mua. Çfarë? Drejtori i qendrës studimore më prestigjoze në Shqipëri një prezantues? Dhe jo prezantues do si do, por i një ceremoniali ideologjik dhe ideologji bërës? Sepse të krijosh ditën për diell mite e t’i shenjtërosh ato, në emër të fesë e për fenë, në emër të kombit e për kombin, do të thotë të krijosh shtyllat mbështetëse të një ideologjie. Sapo u bëra gati të pyesja sërish, vajza më dha ftesën që ta lexoja, e të mos bënim zhurmë. Në të shkruhej se konferenca përkujtimore për nënë Terezën organizohej mes të tjerash edhe nga QSA. Pra qenia e Ardjan Marashit si prezantues, nuk ishte as e rastësishme e as personale, por zyrtare, si drejtor i QSA.

Ftesa kishte sfond të bardhë me bordura blu.
Blu si ngjyra e bordurave të veshjes së nënë Terezës. Blu si partia e kryeministrit.
Menjëherë më erdhën nëpër mend debatet e para disa viteve në lidhje me reformimin e Akademisë së Shkencave. Të them të drejtën ka qenë një nga reformat që e kam përkrahur me gjithë zemër. Më kujtohet të kem lexuar edhe një shkrim të Artan Fugës, se ishte shumë i zhgënjyer që shqetësimi i vetëm akademikëve kishte qenë se sa i madh do të ishte pensioni i tyre. Fuga thoshte atëherë se synimi i reformës ishte cilësor, që shkenca shqiptare më në fund të bënte kërkime tamam shkencore dhe jo ideologjike, se vazhdimësia në krye të institucioneve shkencore e të njëjtëve persona që kishin bërë propagandë për Partinë e Punës, në vend të studimeve shkencore serioze, kishte bërë që të prodhoheshin artikuj pa vlerë, të krijohej izolim nga arritjet nëpër botë, etj. Dhe kisha presupozuar se me reformën, gjërat duhet të ishin përmirësuar dukshëm, duke pasur shpresën se pas kryerjes së doktoratës, do e gjeja edhe unë veten në një mjedis shkencor shqiptar të reformuar tashmë.

“Se ajo është nëna e të gjithëve, nëna jonë Terezë” – ishin këto fjalë të Marashit, shoqëruar me një pamje tepër dramatike të fytyrës së tij, që më nxorën nga mendimet për reformën. Produkti i reformës, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, ishte duke i thënë njerëzve në sallë dhe shqiptarëve në përgjithësi, se të gjithë e kanë një nënë, por se nëna jonë e përbashkët ishte ajo, Tereza. (Sa më përngjau me thënien e Fatos Nanos së para disa viteve se të gjithë e kishin një babë, e se baba i shqiptarëve, i mirë a i keq, ishte Enver Hoxha – por ama Fatosi nuk kish dalë në rolin e një akademiku kur e deklaroi këtë, e për më tepër takimi ku ajo deklaratë u bë, ishte me simpatizantë të diasporës, e nuk kishte për qëllim mediatizimin dhe reklamën).
Duke mos arritur ende të besoja se ai që po fliste nuk ishte as prift e as aktor, por drejtuesi i të vetmes qendër kërkimore shtetërore, dhe se nuk ndodhesha në një kishë, por në një konferencë, ku Ministria shtetërore e Kulturës dhe Qendra shtetërore Studimore e Albanologjisë ishin organizatorët, u përqendrova fort në ato që po thuheshin:

“E kemi shumëfishuar atë kudo, në sheshe e aeroporte, nëpër institucione të ndryshme, por ai nuk është vetëm se një imazh, vetëm një qasje e jashtme ndaj saj. Por imazhi është vetëm shfaqje e jashtme, e ne duhet t’i qasemi asaj nga brenda, duhet të kuptojmë thelbin e mesazhit të saj. Kjo konferencë kërkon që të shkojmë përtej imazhit, për të arritur në brendi të saj, për të kuptuar e zbatuar atë që ajo, nëna jonë e dashur, na la trashëgimi…”

Mes të tjerash, ky ishte kulminacioni i fjalimit plot pathos të Drejtorit të QSA. Një kryevepër letrare në fakt. Një diskurs prekës, saqë unë mendova se edhe pak e njerëzit do të kapnin shamitë nga tronditja. Përdëllimi ia kish kaluar edhe një predikimi të zakonshëm të një meshe të së dielës. Sepse mesazhi i Terezës ka qenë gjithnjë fetar, dhe t’i kërkosh një komuniteti studiuesish, por edhe më gjerë, se nuk mjaftonin monumentet, por se duhej punuar në drejtim të kuptimit të mesazhit të vërtetë të saj, në mënyrë që edhe ta zbatojnë atë, do të thotë që hapur të pranosh së tashmë institucioni kërkimor më i madh e rëndësishëm i vendit, e ka braktisur  laicitetin në favor të një feje të caktuar në vend, katolicizmit dhe se detyrë e studiuesve është tashmë që të përplotësojnë të kuptuarit e filozofisë fetare aty ku priftërinjtë e lënë atë mangët. Megjithatë nuk është e qartë e nuk u tha në asnjë moment se si mund të bëhej kjo, se çfarë mund të thoshin studiuesit, që teologët të mos e dinin.

Duke e deklaruar konferencën të hapur, aktorja Andrea sqaroi spektatorët e sallës se pas përshëndetjeve, fjalën do ta merrte studiuesi i mirënjohur, Anton Nik Berisha, ndërsa aktorja e madhe shqiptare Tinka Kurti do të pasonte kumtesën shkencore të Berishës duke recituar disa poezi të nënës Terezë. Më pas do të vinte pushimi, ku njerëzit mund të zgjidhnin: kush të dëshironte, mund të rrinte në sallë dhe të shihte dokumentarin me shkrime e citime nga Nënë Tereza, të përgatitur nga Anton Nik Berisha dhe Ardjan Marashi, ndërsa ata që do të donin të pinin një kafe, do të kishin njëkohësisht mundësinë të shihnin ekspozitën me fotografi dhe sende personale të Nënë Terezës, të përgatitur enkas për këtë rast. Tepër kurioze jam të di se cili është roli i QSA në përgatitjen e kësaj ekspozite dhe cili është ai i MTKRS. Më pas konferenca do të vazhdonte me leximin e katër ose pesë kumtesave shkencore për Nënë Terezën, ndërsa Kori Pax Day, i udhëhequr nga Zëvendësministrja e MTKRS Suzana Turku, do ta mbyllte konferencën përkujtimore dhe shkencore, me himne fetare, të cilat i ka edhe si specialitet në fakt.

Nëse organizatore e një evenimenti të tillë do të kishte qenë Kisha Katolike, e cila për ta nxjerrë sa më të plotë e të suksesshme veprimtarinë do të kishte kërkuar ndihmën e Ministrisë së Kulturës, dhe të kishte kontaktuar QSA nëse ndonjë nga studiuesit e saj kishte bërë kërkim shkencor për këtë figurë të shquar të kishës, për asnjë moment nuk do të më kishte bërë përshtypje ajo që pashë, dëgjova e përjetova. Por Kisha Katolike në këtë ngjarje ishte thjeshtë e ftuar, njësoj sikurse Kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale, Janullatosi, si Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Selim Muça dhe si Kryegjyshi i Bekashinjve Haxhi Dedej Reshat Bardhi.

Pas përshëndetjes së ministrit Xhaferri, fjalë e cila as që ia vlen të zihet në gojë për nga niveli, fjalën e merr përfaqësuesi i ipeshkvnisë. Meqenëse kjo ishte një veprimtari e organizuar nga shteti dhe jo nga kisha, ai nuk harroi t’i tërhiqte vëmendjen qeveritarëve se varfëria në peshkopatën e tij rritej dita ditës, se mesazhi kryesor i Nënë  Terezës ishte pikërisht luftimi i varfërisë, dhe se nëse shteti synonte vetëm të mburrej me figurën e saj dhe aspak të zbatonte mesazhin e saj, mburrja i vlente vetëm përgjysmë. E në fakt Marashi sapo na kishte thënë se çfarë është bërë deri tani në drejtim të përkujtimit, nuk ishte vetëm se dukje (mburrje në fjalët e priftit) dhe se me këtë konferencë synohej kuptimi dhe zbatimi i thelbit të mesazhit të saj (përpjekja që mburrja të mos mbetej gjysmake – në fjalët e priftit). Synimi është i qartë: prifti (monsinjori) dhe shteti (drejtori i QSA) ishin në unison – si predikimet fetare, ashtu edhe kërkimet shkencore, duhet të ndihmojnë një qëllim suprem, zbatimin e trashëgimisë tereziane.

NDOSHTA MË NË FUND KA ARDHUR KOHA EDHE PËR SHQIPTARËT TË KENË NJË SHTET, NJË IDEOLOGJI, NJË FE. Nacional-komunizmi dështoi në këtë drejtim. Nacional-katolicizmi është zgjidhja tjetër vallë?
Për të mos i mbetur hatëri ortodoksëve, meqë ata janë të krishterë, por jo katolikë, i ftuar për të përshëndetur konferencën ishte edhe hirësia e tij, Janullatosi. Me atë anglishten e tij të këndëshme me theks grek, që më kujtoi kohë të bukura të kaluara me miq grekë në universitet, si e përqëndroi fjalën e tij vetëm tek marrëdhënia e nënë Terezës me Zotin, Janullatosi mënjanoi me elegancë lidhjen e saj me Shqipërinë, duke përfunduar se kontributi i saj i takon në fakt, botës.

Pas tij, në skenë doli sërish Marashi, i cili me përvujtninë më të madhe dhe me një gjysmë-buzëqeshje gjithë mëshirë, iu drejtua sallës:
“Të dashur muslimanë që ndodheni në këtë sallë. Nëna jonë Terezë ju ka dashur shumë, dhe është lutur në vazhdimësi që ju të shtoheni. Ajo ka shkruar edhe poezi për ju, të cilën do ta dëgjoni të recituar nga Ema Andrea.”

A duhet më të komentoj këtë?

Ndërkohë që Ema Andrea recitonte, e në vazhdim, kur kryetari i komunitetit musliman zoti Muça e quante konferencën simpatike dhe të domosdoshme për të përjetësuar figura të ndritura të kombit shqiptar, e më tej akoma, kur përfaqësuesi i bektashinjve mburrej se nënë Tereza e kishte vizituar në kryegjyshatë dhe se personazhi i saj ishte shumë i ngjashëm me Haxhi Bektashin, kur studiuesi i arteve Stefan Capaliku i bënte thirrje studiuesve dhe poetëve të studionin errësirën, vuajtjen, se kjo të bënte sipas nënë Terezës bashkëkohor, dhe pasi i siguroi shqiptarët se kombi i tyre nuk do të zhdukej, për sa kohë e kishte nanën e vet të lumtunume, pasuar nga kumtesa tmerrësisht e gjatë e Anton Nik Berishës për jetën, veprën dhe mendimet filozofike të saj, dhe nga poezitë për madhështinë e Jezusit dhe dashurinë gati xheloze që Nënë Tereza kishte për të, deri kur mbaroi pjesa e parë, ndërkohë pra, njerëzit në sallë reagonin në një mënyrë a në një tjetër. Dikush shfrynte, dikush tjetër qeshte me tallje, të tjerë akoma talljen e shoqëronin përmes komenteve. Megjithëse gjatë gjithë kohës kisha ndjerë një dhunë verbale, sepse shteti kishte shkelur çdo parim laiciteti dhe sepse përjetova live përpjekjen për t’ia nënshtruar edhe njëherë shkencën ideologjisë, nuk arrija të kuptoja këtë qëndrim të njerëzve. Nëse e dinin se do të bezdiseshin e do të mërziteshin, pse kishin ardhur? Sepse, m’u përgjigj ajo vajza e ftesës, në QSA i kishin thënë se pjesëmarrja është e detyrueshme. Dhe sepse, në pushim, dëgjova punonjës të MTKRS se pavarësisht nga dëshira, nuk mund të largoheshin, pasi drejtorët e tyre ishin shumë të vëmendshëm.

Gjithçka në atë sallë ishte dhunë dhe shëmti diktatoriale. Dhe kishin zgjedhur pikërisht figurën e Nënë Terezës për ta bërë këtë. Kur e mendova se kisha bërë niet të regjistrohesha në programin e Brain Gainit për t’u kthyer në Shqipëri pasi të kryeja edhe doktoraturën, u gëzova që ende nuk e kisha bërë këtë.
Me anë të këtyre strategjive, njeriu shqiptar po debilizohet gjithnjë e më shumë, dhe kur them debilizohet, nuk kam për qëllim budallallëkun, por dobësimin. Këto politika, dhe të tjera të dhunshme si këto, e kanë dobësuar në atë masë njeriun shqiptar, saqë e kanë bërë të nënshtrohet ndaj çdo të keqeje. Ky dobësim, debilizim, çon vetvetiu edhe ne dukuri të budallallëpsjes kolektive. Kuptohet se ishte e papranueshme për inteligjencën time të vazhdoja të ndiqja konferencën, edhe pse ndoshta do të kisha mbledhur materiale me shumicë.

I bëj thirrje Drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike që urgjentisht të japë dorëheqjen, pasi me këtë që ka bërë, ia ka nënshtruar drejtpërdrejtë shkencën shqiptare ideologjisë, në të njëjtën mënyrë të shëmtuar si u bë kjo gjatë periudhës së komunizmit. Dhe dorëheqja duhet të jetë e shoqëruar me një ndjesë ndaj komunitetit intelektual, të cilit ai po i dhunon në këtë mënyrë lirinë dhe inteligjencën.

Përndryshe, shteti me sinqeritet duhet të pranojë se është duke punuar që katolicizmin ta kthejë në fe zyrtare, duke i dhunuar natyrën laike pikërisht atij institucioni që e ka atë në thelb, kërkimit shkencor.

mirela baxhaku/gazeta sot

This entry was posted in Nacional-Katolicizmi, Nacional-Komunizmi, Parody Science, Të përzgjedhura nga shtypi shqiptar and tagged , , , , , , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s