Luftë në gjirin e islamit

Jean-Luc Racine (drejtues kërkimesh në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS), Qendra e Studimeve për Indinë dhe Azinë e Jugut në Shkollën e Studimeve të Larta në Shkencat Sociale (EHESS). Artikulli botuar në Le Monde Diplomatique – Qershor 2011)

Korrik 2007. Ushtria pakistaneze ndërmerr një sulm në Xhaminë e Kuqe, vend strehimi për islamistët integristë. Disa muaj më vonë, në zonat tribale përbashkohet një lëvizje e talibanëve pakistanezë, Tehrit-e-Taliban Pakistan. Politika ambige e presidentit të atëhershëm, gjeneralit Pervez Musharraf, shënjestër e atentateve që nga 2003-shi, bëri të kthehet kundër pushtetit një pjesë e milicëve islamistë të përdorur nga shërbimet speciale të ushtrisë. Disa prej tyre kënaqen me denoncimin zyrtar të xhihadit meqënëse grupe të tjerë të ndaluar mund të riformohen nën emra të tjerë. Disa rebelohen kundër një aparati shtetëror që dialogon me Indinë që nga 2004-a, dhe që nënshkruan “luftën kundër terrorit” të udhëhequr nga Shetet e Bashkuara në Afganistan që nga 2001-shi. Regjimi i ka dorëzuar amerikanëve një numër të përgjegjësve të lartë të Al-Kaedës, por jo drejtuesit e saj.

Pakistani e paguan gjithnjë e më shtrenjtë strategjinë e tij të instrumentalizimit të grupeve islamiste të armatosura të cilët i krijoi ose i mbështeti gjatë 30 viteve në shërbim të një politike rajonale të fortë aktive: muxhahidinët avganë antisovjetikë; kashmirasit[1] kryengritës të grupit Hizbul-Muxhahidin; xhihadistët pakistanezë të Lashkare-Taiba të infiltruar në Kashmir duke kryer atentate terroriste në qytetet indiane; talibanë të formuar nëpër medrese për të rimarrë në dorë Afganistanin.

Ka kohë që lufta në gjirin e islamit pakistanez nxjerr në pah “konfliktet sektare”: gjatë viteve 2000 ekstremistët sunitë të Lashkar-e-Xhangvi dhe të Sipah-e-Sahaba Pakistan theksojnë sulmet e tyre kundër vendeve të kultit shiit, që sipas disave kanë përfituar nga paratë e ajatollahëve  pas revolucionit iranian të 1979-ës. Shumë shpejt ngërthehet një cikël i ri. Radikalizimi sunit u tolerua për një kohë të gjatë për arsye strategjike: mjegullnaja ekstremiste dhe luftëtarët e saj i shërbenin politikës së pushtetit kundrejt Indisë dhe Afganistanit. Një pjesë e tij doli jashtë kontrollit: kryengritja në territoret tribale dhe në luginën e Zvatit u përball nga ushtarët në 2009-ën, dhe fushatat e atentateve  vrasëse në qytetet e mëdha shkaktojnë edhe sot e kësaj dite mijëra ta vdekur në vit.

Kalohet në një etapë tjetër kur luftës midis sunitëve dhe shiitëve i shtohet edhe lufta në gjirin e vetë sunizmit mazhoritar. Përçarja vë përballë: nga njëra anë ultrat që nxisin në ekstrem ideologjinë deobandiste[2], e afërt me vehabizmin saudit; promovuar  nga gjenerali president Muhammed Zia ul-Hak gjatë viteve 1980[3], nga ana tjetër islamin popullor, të gjykuar si i “infektuar” përgjatë shekujve nga hinduizmi – një islam sufi që u këndon shenjtëve dhe falet në muzoleumet e tyre.

Me këtë kulturë të dhunës që çliron terrorizmi i Al-Kadedës dhe radikaliteti i talibanëve pakistanezë, këto mauzoleume kthehen në shënjestra: Data Darbar i Lahores, vendi i shenjtë më i rëndësishëm i Pakistanit (dyzet e pesë të vdekur në korrik të 2010-ës); mauzoleumin e Baba Feridit në Penxhab (gjashtë të vdekur në tetor); atë të Abdullah Shah Gazi Baba-së në Peshavar (tre të vdekur në dhjetor); një tjetër në Dera Gazi Kan, pranë zonave tribale (dyzet e një të vdekur në prill 2011) dhe shumë të tjera.

Dhe më në fund etapa e fundit: Ligji që ndëshkon blasfeminë, trashëgimi e kodit të vjetër penal të Indisë britanike të 1980-ës, por që vazhdimisht rëndohet deri në dënimin kapital me vdekje, me amendamentet e viteve 1986 dhe 1991. Pa qënë i aplikuar vërtetësisht ky legjislacion gjithësesi ka gjeneruar një numër abuzimesh. Rasti i znj. Asia Bibi[4] e burgosur në 2010, gjeneroi një numër thirrjesh nga reformatorët pakistanezë që e kanë luftuar këtë ligj[5] – ndër ta guvernatori i Penxhabit Selman Taseer dhe i vetmi ministër i krishterë i qeverisë, Shabaz Bhatti, të dy të vrarë respektivisht në janar dhe në mars të 2011-ës. Vrasësi i Tasser-it, truproja e tij, shumë shpejt u heroizua nga besimtarë të klasës së mesme që duket se në devocionin ekstremist dhe intolerant gjejnë orientimet që rendi social dhe politik nuk ua ofron më. Nuk janë më vetëm deobandët në këtë çështje, por edhe barelvitë[6], që i përmbahen sufizmit. Për liberalët pakistanezë, hapësira publike ngushtohet, ndërsa qeveria dorëzohet para radikalëve.

Pakistani, shpesh në fillim i prezantuar si toka e premtuar e muslimanëve të nënkontinentit indian, duhej të ishte në sytë e themeluesit të tij, Muhammed Ali Xhinnah, një shtet demokratik dhe tolerant. Shumë shpejt islami u kthye ne referencë themeluese; rezoluta e 1949-ës, votuar nga asambleja kushtetuese proklamon: “Sovraniteti mbi tërë universin është në duart e Allahut të Vetëm dhe të Gjithë-pushtetshëm, që ia ka deleguar autoritetin e tij shtetit të Pakistanit”.

Por çështja gjithmonë ambige e marrëdhënies së islamit me kombin dhe verbëria gjeopolitike që promovon xhihadin ndërkufitar, pa u thelluar në mendim kanë mbjellë farat e fitnes – gabimet devijante që shkatërrojnë e sjellin kaos, që  trondisin bashkësinë e besimtarëve[7]. Lufta që nga ky moment i vë bombën vetë kombit. Islami, që e quajnë bashkues të vendit, fillon ta përçajë atë. Këtu gjithashtu ka një paradigmë që duhet ndryshuar.

[1] Kashmiri megjithëse nën administrimin e Pakistanit, pretendohet si territor nga India (shën i përk).

[2] Selefizmi ka bërë të lindin shumë familje si psh: Vehabizmi, Vëllezërit Muslimanë, Deobandët. Edhe në rradhët e vetë këtyre janë prodhuar strategji të ndryshme, grupe të ndryshme, sipas gjeneratave të ndryshme dhe disidencave të mundshme (shën i përk).

[3] Muhammed Zia ul-Hak (1924-1988) ishte krye-gjeneral i ushtrisë tokësore, para se të merrte pushtetin me një grusht shteti në shtator të 1978-ës. Lindur në Indi në vitet 1880, ideologjia deobandiste pakistaneze predikon një islam besnik ndaj origjinës, të pastruar nga influencat kulturore indiane. Më radikale se në Indi, kjo rrymë ka konverguar me ideologjinë e vehabizmit, shfaqur në shekullin XVIII në Arabinë Saudite dhe e përhapur në Pakistan përmes xhihadistëve të ardhur nga bota arabe për t’iu bashkuar luftës anti-sovjetike në Afganistan.

[4] Kjo grua e re u burgos pas grindjes që pati me një nga fqinjet e saj.

[5] Asia Bibi mori dënimin kapital sepse kishte krahasuar Krishtin me Muhammedin (Shën i përk)

[6] Lëvizje suniste, që origjinën e ka në Indi, e që kundër kriticizmit të lëvizjeve reformiste ,mbronte tradita dhe rite tradicionale që i asocioheshin një lloj islami popullor sufi (shën i përk).

[7] Gilles Kepel, Fitna. Guerre au coeur de l’Islam. Gallimard, Paris, 2007.

This entry was posted in Përkthime, Religjion, Të përzgjedhura nga shtypi botëror, Terrorizmi and tagged , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s