Eksperimenti Pitesti

Policia sekrete rumune Securitate ka kaluar nëpër faza të ndryshme dhune. Kulmin e saj  dhuna e arriti midis viteve 1949-1952, me eksperimentin Pitesti: Të burgosurit politikë pas humbjes së qëllimshme të personalitetit duhej të transformoheshin në komuniste.

Markus Bauer (NZZ, 1 korrik 2011)

Ai ishte studenti më rrezatues i letërsisë në Timishuara dhe me një pastërti të skajshme të shpirtit. Sipas opinionit të profesorëve dhe kolegëve të tij, ai ishte një shembull i pazakontë i një esteti spiritual, i ndjeshëm dhe i lexuar (recitonte përmendësh vargje nga St. John Perse). Pasi iu nënshtrua eksperimentit Pitesti ai u shndërrua në torturuesin më të pamëshirshëm të miqve të tij të hershëm dhe më pas u dënua me vdekje. Autori i njohur rumun në mërgim, Virgil Ierunca, nuk e tregon emrin e këtij të burgosuri në librin e tij klasik për skenarin e torturave të Pitesti-t.

Një rregjim terrori traumatizues

Në shembullin tjetër tregohet edhe emri: Costache Oprisan ishte gjithashtu një student i shkëlqyer, i lavdëruar shumë si prej profesorëve të tij ashtu edhe prej filozofit Lucian Blaga, dhe një njeri me shume talente: ishte një matematikan, filozof e poet i talentuar. Në janar të 1941-shit, ai, si udhëheqës i organizatës „Vëllezërit e kryqit“, një organizatë rumune që bënte pjesë në legjionin fashist dhe antisemit „Engjëlli Michael“, pas dështimit të rezistencës kundër diktaturës së mareshallit Antonescu, u arratis në Gjermaninë hitleriane. Thuhet se e kanë zbuluar gjatë leksioneve të Heidegger-it dhe, ashtu si shumë legjionerë të tjerë të arratisur në Gjermani, përfundoi në kampin e përqëndrimit Buchenwald. Pas luftës, ai shkoi me një grup në Rumani për të luftuar komunizmin dhe u arrestua. Pas torturave çnjerëzore në Pitesti, ai hoqi dorë nga rezistenca dhe filloi të torturonte pasuesit e tij më të rinj që e adhuronin.

Autori Ierunca e fillon përshkrimin e „fenomenit Pitesti“ me historinë e dy studentëve, të cilët e patën njohur njeri-tjetrin në Iasi dhe që u ritakuan në burgun e Suceava-s. Eugen Turcanu kishte studiuar juridik dhe e konsideronin si jashtëzakonisht inteligjent e ambicioz. Mbas luftës ai bëri një karrierë si anëtar i Partisë komuniste dhe spiun.

Alexandru Bogdanovici kishte qenë gjithashtu aktiv në lëvizjen legjionare, aktivitet që e shpuri mbrapa mureve të burgut të vjetër të Suceava-s. Aty, ai filloi me eksperimente pedagogjike „riedukimin“ e të burgosurve të rinj. Në grupe lexoheshin tekste marksiste që kritikonin rendin e mëparshëm shoqëror, me qëllim që të rinjtë të bëheshin komunistë. Turcanu këtë e bënte me kolegët e tij të shkollës në një kohë kur riedukimi ishte akoma i padhunshëm, por, në mirëkuptim me drejtuesit e burgut (dhe me instanca më të larta) ai krijoi, me rreth njëzetë të burgosur, grupin eksluziv ODCC (Organizata e të burgosurve me bindje komuniste), grup që do të shënonte fillesat e eksperimentit Pitesti.

Burgu i Pitestit, një qytet rreth 120 km larg Bukureshtit, ndodhej jashtë qytetit dhe ulërimat e të torturuarve nuk i dëgjonte askush tjetër përveç të pranishmëve. Pasi mbërritën aty në dhjetor të 1949-tës,  Turcanu dhe ndihmësat e tij, me qëllimin e „riedukimit“ apo „demaskimit“, filluan të aplikonin një regjim terrori, që nëpërmjet lavazhit të trurit me metodat më brutale, i zbrazte të rinjtë prej bindjeve që kishin dhe i shndërronte ata në xhelatë. Salla „Qelia 4-Spital“, e cila mund të zinte rreth njëqind të burgosur, u shndërrua në sinonim të „eksperimentit“. Aty të rinjtë torturoheshin deri sa zbrazeshin nga identiteti i tyre, aq sa humbisnin brenda pak ditëve dhe javëve konceptin e kohës, hapësirës, kujtesës, personalitetit, besimit e shpresës dhe nën urdhër torturonin të tjerët me po të njëjtin brutalitet.

Një i riedukuar tregonte: „Costache Oprisan ishte gati një kadaver. E shtrinë në një shtrat, Priscaru ia lidhi këmbët me një litar, na thirri të tjerët dhe mua e na urdhëroi që ta gjuanim. Më dhanë një kërbaç në dorë. Nuk mendova asgjë: qëllova. Nuk ishte kërcënimi që më bënte të gjuaja, por çoroditja. Gjuajta njeriun që vlerësoja më shumë, mikun tim, mjeshtrin tim, vëllain tim: njeriun, për të cilin isha gati të vdisja.“ Përveç gjuajtjeve deri në humbjen e vetëdijes, vështirësive të skajshme fizike apo ngrënien e jashtëqitjeve, aplikoheshin edhe skena seksuale blasfemike që synonin t’i zbraznin studentët, të cilët ishin gati të gjithë besimtarë, nga besimi i tyre i krishterë. Konkurrentin e tij të mundshëm Bogdanovici-n, Turcanu e torturoi me dorën e tij deri në vdekje.

Duar të padukshme

Meqë për të burgosurit vetëvrasja ishte e vetmja rrugëdalje nga vuajtja e pafund, Eugen Turcanu dhe ndihmësat e tij kujdeseshin që kjo mundësi të mos u jepej: vetëm tre të burgosur mundën të vetëvriten. Numri i të vdekurve gjatë torturave për periudhën trevjeçare kur zgjati eksperimenti ishte rreth tridhjetë, kurse i të traumatizuarve tek  njëmijë të burgosur.

Me transferimin e disa prej të transformuarve „njerëz të rinj“ në burgje të tjera, si edhe në kampin e Kanaleve-Danub-Deti i zi, filloi edhe atje „demaskimi“ i të burgosurve. Në të njëjtën kohë lajmi për atë se ç’ndodhte në Pitesti filloi të përhapej nën zë në gulagin rumun. „Ruhuni prej studentëve si prej djallit. Sidomos kur ju afrohen si miq. Ata kanë bërë maskarallëqe të paimagjinueshme, e disa vazhdojnë akoma t’i bëjnë“, kishte dëgjuar të pëshpëriste një kronist i ngjarjeve një të burgosur, pa kuptuar fillimisht asgjë. Të burgosurit në Mari-Ocnele, pas torturave të para, ishin rebeluar duke kërcënuar me vetëvrasje kolektive. Përhapja e „riedukimit“ po përgatiste kështu edhe fundin e „eksprimentit“. Ndërsa Turcanu, duke u bazuar tek shërbimi i tij, besonte për një karrierë në Securitate, u përgatit një proces, gjatë të cilit çdo gjë që kishte ndodhur u paraqit si një komplot i organizuar nga legjionerët e ardhur nga jashtë. Turcanu dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan në 1954-ën me vdekje. Organizatorët e vërtetë në udhëheqjen e Securitate-s dhe në Ministrinë e brendshme mbetën të patrazuar.

Gjatë përpjekjeve për të stabilizuar regjimin komunist në vitet gjashtëdhjetë, u shfaqën metoda të reja dhe të tjerë mbështetës të detyrimit për t’u përshtatur. Por ankthi i përsëritjes së „eksperimentit Pitesti“ ia lehtësoi Securitate-s mjeshtërinë e nënshtrimit.

Dokumentaristi rumun Nicolae Margineanu, duke u bazuar në idenë e historianit Alin Muresanu, ka filmuar një seri intervistash me të mbijetuarit e fundit të Pitestit në filmin dokumentar „Demascarea“.  Filmi mund të gjendet si DVD.

This entry was posted in Përkthime, Të përzgjedhura nga shtypi botëror, Terrorizmi and tagged . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s